Lajme Sporti - Lajmet e fundit nga sporti - Sport Shqip: Fink sugjeron Shaqirin

ooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooooo

Powered by Conduit

Fink sugjeron Shaqirin


Pas fillimit të bisedimeve ndërmjet Xherdan Shaqirit dhe Hamburgut, ka ardhur edhe reagimi i trajnerit të Baselit, Thorsten Fink. Ai i ka sugjeruar kosovarit të qëndrojë në St. Jakob-Park, pasi ka shumë gjëra për t’i mësuar.

Ofensiva e Hamburgut për ta transferuar Xherdan Shaqirin në Color Line Arena, gjatë afatit kalimtar të verës, ka detyruar trajnerin e Baselit, Thorsten Fink, të mos rrijë duarkryq.

Edhe pse thuhet se Shaqiri tashmë ka filluar bisedimet me klubin nga Bundesliga, sipas Finkut, asgjë nuk ka të re. Madje, ai i ka sugjeruar mesfushorit kosovar të qëndrojë edhe më tej në Basel.

“Ne si klub ende nuk kemi marrë ofertë për të. Ne Xherdanin nuk do ta lejojmë të shkojë, ai ka një kontratë të gjatë me ne. Për momentin është më mire që ai të qëndrojë te ne, ku ka për të mësuar shumë gjëra”, ka thënë Fink për të përditshmen zvicerane Blick.

“Nëse ai dëshiron që gjithsesi të largohet, ne do të bisedojmë me të. Për momentin me Shaqirin nuk kemi biseduar asgjë rreth këtij transferi të mundshëm”, ka vazhduar Fink, i cili fitoi titullin dhe Kupën e Zvicrës me Baselin.

Shaqiri ka kontratë me Baselin deri në verë të vitit 2014. Por, për Finkun, është e kuptueshme nëse ylli i ri i tyre në të ‘zezën’ ka filluar bisedimet me Hamburgun, pasi që kjo metodë është e zakonshme në biznesin e futbollit.

Trajneri i Baselit i sheh pozitive përpjekjet e Hamburgut për ta bërë të vetin mesfushorin e Kombëtares zvicerane. "Në qoftë se një nga lojtarët tanë është me interes për klubet nga Bundesliga, kjo tregon se kemi punuar mirë.", ka përfunduar ai.

Ditë më parë, mediet gjermane dhe ato zvicerane kanë shkruar se drejtori sportiv i Hamburgut, Bastian Reinhardt, ditëve të fundit ka pasur një takim të fshehtë në Hamburg me përfaqësuesit e Shaqirit, përkatësisht menaxherin Wolfgang Voge, me të cilin ka biseduar rreth mundësisë së transferimit në Bundesligan gjermane të talentit nga Gjilani.

Sezonin e fundit, Shaqiri pati 32 paraqitje në elitën e futbollit zviceran, duke realizuar 4 gola për Baselin. Në debutimin e tij në elitën e futbollit kosovar, 18 vjeçari ka shkëlqyer, duke zgjuar vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane.
Digg Google Bookmarks reddit Mixx StumbleUpon Technorati Yahoo! Buzz DesignFloat Delicious BlinkList Furl