Vitali Klitschko mbrojti titullin e kategorisë së rëndë në versionin WBC pas fitores me nokaut teknik në raundin e 10-të kundër Albert Sosnowskit në Gelsenkirchen, Gjermani. Sosnowski rezistoi deri në raundin e nëntë, kur u desh të mbahej për litari pas sulmit të furishëm nga Klitschko. Mirëpo, ukrainasi e përfundoi përballjen në raundin e ardhshëm me një goditje të fuqishme me të djathtën, që e rrëzoi polakun dhe gjyqtari Jay Nady e ndërpreu luftën. “Jam në formë të mirë, Sosnowski është më i ri se unë, por njerëzit e panë se u paraqita mirë kundër tij”, tha Klitschko 38 vjeç, i cili siguroi fitoren e 40-të në karrierë dhe të 38-ën me nokaut.
